Si duhet plotësuar Formulari A2

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë formulari A2 pas provimeve të matures Maturantëve u këshillohet fillimisht që ta fotokopjojnë këtë formular për t’u praktikuar, por do të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të zgjedhin10 programet e studimit, të renditura sipas preferencave: në renditjen nga 1 në 10 do të vendosen kodet që përfaqësojnë programet e studimit. Kodi i programit të studimit i shënuar te tabela e preferencave duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. P.sh. nëse në preferencën 1 është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratin pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri 1. Nëse gabohet në këto plotësime, si i vlefshëm do të merret kodi i programit të studimit që është shënuar te tabela e preferencave (djathtas lart). Fitues shpallen vetëm në një nga programet e studimit që kanë zgjedhur sipas parimit Meritë – Preferencë, të shprehur si më poshtë në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Po kështu, fituesit në një program studimi të zgjedhur përcaktohen nga vendet në atë program studimi (kuotat). Duhet që këtë vit nota mesatare të shkruhet saktë me shifra dhe me fjalë nga mësuesi kujdestar. Nga ana tjetër, është e detyrueshme që ky formular të plotësohet më poshtë me emër, mbiemër dhe firmë të nxënësit, po kështu emër, mbiemër dhe firmë të mësuesit kujdestar si dhe emër, mbiemër dhe firmë të drejtorit të shkollës si dhe vulën e shkollës. Mungesa e njërit prej këtyre elementëve e bën formularin e plotësuar të pavlefshëm. Pasi kanë parë se cilat janë mundësitë e tyre për të fituar në degët përkatëse, maturantët duhet që të shohin ato degë ku realisht kanë shanse për të hyrë. Ndër degët e përzgjedhura, maturantët duhet të zgjedhin 10, ku kanë më shumë shanse për të hyrë, përfshi këtu edhe një ose dy preferenca, ku ndonëse nuk kanë mjaftueshëm pikë, janë më të preferuarat e tyre. Specialistët sugjerojnë që ndarja e dhjetë degëve të jetë: 2 degë të preferuara, pavarësisht sa e mundshme është hyrja; 6 degë të cilat janë gjithashtu të preferuara, por që janë njëkohësisht edhe të mundshme për të hyrë në universitet, në bazë të pikëve të grumbulluara dhe në fund, 2 degë, të cilat kanë pak pikë, me qëllimin e vetëm pranimin në universitet. Pasi janë përzgjedhur këto 10 degë, atëherë maturantët kanë vetëm një punë për të bërë, renditjen e tyre nga më e preferuara tek më pak e preferuara.

Bookmark the permalink.

Comments are closed.